Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vëllimi IV i “Historisë së popullit shqiptar”

Shko poshtë

Vëllimi IV i “Historisë së popullit shqiptar” Empty Vëllimi IV i “Historisë së popullit shqiptar”

Mesazh nga floroS Sat May 02, 2009 12:51 am

Vëllimi IV i “Historisë së popullit shqiptar”, Lufta Antifashist Nacionalçlirimtare dhe periudha pas saj (1939–1990)
PROF. XHELAL GJEÇOVI
10/01/2009 Vëllimi IV, që u vu në qarkullim këto ditë nga shtëpia botuese “Toena”, është pjesë e projektit “Historia e popullit shqiptar” në katër vëllime, i ndërmarrë para dhjetë vjetësh nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Historisë. Vëllimi I dhe vëllimi II i këtij projekti u botuan në vitin 2002, vëllimi III në vitin 2007, kurse tani u vu në qarkullim edhe vëllimi IV.

Vëllimi IV përfshin dy periudha të historisë së shqiptarëve: Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, që nis me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 dhe përfundon me çlirimin e saj më 29 nëntor 1944; dhe periudhën pas lufte, që përfshin vitet 1945-1990. Për herë të parë në vëllim përfshihen ngjarjet që kanë përjetuar shqiptarët në këtë hark kohor, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, në Çamëri e në diasporë. Në vëllim nuk është përfshirë periudha që nis me përmbysjen e regjimit komunist (1990) dhe vendosjen e sistemit demokratik, pasi arkivat që përmbajnë dokumentet e kësaj periudhe, sipas legjislacionit në fuqi, janë ende të mbyllura.

Trajtimi që u është bërë në vëllim ngjarjeve dhe figurave të kësaj periudhe nuk duhet kuptuar si qëndrim zyrtar i institucionit ku është përgatitur vëllimi, por si mendim e si shpjegim i autorëve për periudhat dhe për problemet që ata kanë shkruar. Në një shoqëri demokratike pluraliste dhe në institucionet e saj studimore nuk ka dhe nuk mund të ketë një qëndrim zyrtar dhe as një shpjegim përfundimtar. Me botimin e vëllimit IV bëhet një hap në trajtimin e kësaj periudhe të ndërlikuar, që sigurisht do të shoqërohet në të ardhmen dhe me hapa të tjerë, me studime e me botime të tjera historike. Për hartimin e vëllimit autorët janë mbështetur në arritjet më të mira të historiografisë shqiptare, si dhe në punimet e historianëve të huaj që janë marrë me këtë periudhë. Për këtë qëllim është konsultuar e shfrytëzuar një dokumentacion i pasur arkivor dhe bibliografik.

Në periudhën e parë, që përfshin vitet 1939-1944, vendin kryesor e zënë përpjekjet për organizimin dhe zhvillimin e Luftës së armatosur Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë e nazistë, e në këtë kuadër edhe disa ngjarje që kanë pasur ndikim të veçantë në zhvillimet politike të kohës, siç janë themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Konferenca e Pezës, themelimi i organizatës “Ballit Kombëtar”, Mbledhja e Mukjes, krijimi i partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Kongresi i Përmetit etj., dhe në Kosovë, Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës etj. Këto ngjarje janë trajtuar gjerësisht, duke sjellë dhe pikëpamjet e vlerësimet e ndryshme që ka për to.

Në vëllim është pasqyruar veprimtaria e të gjitha forcave politike që kanë vepruar në rrafsh kombëtar, pra në Shqipëri, në Kosovë, në Çamëri e në diasporë. Në këtë kuadër, janë dhënë pozicionet që ato zunë, qëndrimet e zgjidhjet që ofruan në këto vite prove për problemet që preokuponin vendin. Pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme, ato janë trajtuar me kujdes, pa paragjykime, si pjesë e historisë sonë, si pjesë e procesit historik të zhvilluar në këto vite, me ato karakteristika që kanë pasur e me atë veprimtari që kanë zhvilluar.

Nga analiza e ngjarjeve të kësaj periudhe del e qartë se armiq për shqiptarët ishin fuqitë okupatore fashiste e naziste, që kishin shkelur pavarësinë e Shqipërisë. Në vëllim janë trajtuar edhe ato grupime politike që bashkëpunuan me pushtuesit, ato që njihen si forca kolaboracioniste. Në trajtimin e tyre janë mbajtur parasysh disa aspekte, që kanë rëndësi për kuptimin e kësaj çështjeje. Së pari, kolaboracionizmi nuk është dukuri vetëm shqiptare. Së dyti, ndryshe nga vendet e tjera, pesha e forcave kolaboracioniste në Shqipëri ka qenë fare e paktë në raport me forcat atdhetare që u përfshinë në luftë e që kontribuan për fitoren e saj. Dhe së fundi, në vëllim janë evidencuar faktorët që ndikuan në rreshtimin e gabuar të forcave që bashkëpunuan me okupatorët nazifashistë, duke përfshirë dhe iluzionet për Gjermaninë, premtimet e saj se do të ndërtonte një shtet shqiptar “të pavarur” e “asnjanës”, të bashkuar dhe me Kosovën e me viset e tjera e pa dyshim dhe shqetësimi për vendosjen e një regjimi komunist në Shqipëri, e pleksur kjo dhe me ambicien për pushtet, me dëshirën për të qenë pjesë e administratës shtetërore të vendit, pavarësisht se atë e kontrollonte pushtuesi.

Në një këndvështrim të ri janë analizuar marrëdhëniet e Shqipërisë, të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, por edhe të forcave të tjera, me aleatët anglo-amerikanë e me lëvizjet çlirimtare të vendeve fqinje, Jugosllavisë dhe Greqisë. Në vëllim jepet një tablo më e qartë dhe më e plotë e raporteve me ta, e bashkëpunimit, por dhe e problemeve të shfaqura në këtë proces. Në këtë kuadër trajtohen edhe qëndrimet e forcave politike ndaj çështjes së Kosovës dhe Çamërisë si dhe ndikimi që ato kanë pasur në zhvillimet politike të kohës.

Në vëllim është pasqyruar vlerësimi i autorëve për Luftën Nacionalçlirimtare të zhvilluar në Shqipëri, për vendin që ajo zë në historinë e Shqipërisë, për rezultatet dhe karakterin e saj, për raportet me luftën civile etj. Në vëllim është theksuar në mënyrë të veçantë rëndësia që ka pasur për Shqipërinë rreshtimi në koalicionin antifashist, të cilin e udhëhiqnin tri fuqitë e mëdha aleate: Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Periudha e dytë, 1945-1990, përfshin sistemin komunist në Shqipëri si dhe zhvillimet në Kosovë, në Çamëri e në diasporë pas Luftës së Dytë Botërore. Siç mund të kuptohet, trajtimi i kësaj periudhe nuk ka qenë e lehtë për një varg arsyesh.

Së pari, nuk është e lehtë të shkruash historinë e njerëzve ose të forcave që janë ende gjallë e aktive në jetën shoqërore, që janë, sigurisht, të ndjeshme ndaj asaj se çfarë shkruhet e si vlerësohet veprimtaria e tyre në të kaluarën, aq më shumë që në radhët e tyre, të të gjithë krahëve, ka jo pak ekstremistë, që kërkojnë, madje bëjnë dhe presion, që historia të shkruhet sipas pikëpamjeve të tyre. Në këtë vështrim, kishte të drejtë Noli kur thoshte se një vepër historike mban dhe vulën e kohës në të cilën ajo shkruhet.

Së dyti, vështirësitë shtohen dhe nga trashëgimia në fushën e studimeve për këtë periudhë. Deri në vitin 1990 punimet për të kanë qenë të njëanshme, të politizuara e skematike. Ato nuk mund të dilnin jashtë skemave dhe jashtë kërkesave politike të kohës. Për rrjedhojë, autorët përgjithësisht përpiqeshin t’i shmangeshin analizës së problemeve të mprehta të shoqërisë shqiptare. Edhe pas vitit 1990 një pjesë e autorëve kanë vazhduar të shkruajnë me të njëjtën metodë, prandaj dhe punimet e tyre janë të mbushura me sulme, me sharje, me politizime dhe me një prirje të theksuar për të mohuar çdo gjë të vlerësuar më parë nga histroriografia shqiptare. Mirëpo historia nuk mund të shkruhet me metodën e denigrimit, e aq më pak me sulme e me sharje. Autorët e vëllimit IV janë përpjekur të largohen nga trajtesa të tilla, që janë më afër politikës sesa shkencës, me qëllim që publikut t’i jepet një vepër shkencore, që t’i afrohet sa më shumë që të jetë e mundur realitetit. Sigurisht, nuk mund të pretendohet se kësaj i është arritur në shkallën më të mirë të mundshme e në të gjitha aspektet. Por gjithsesi me këtë vëllim mendojmë se bëhet një hap në drejtimin e duhur.

Një vend të veçantë në vëllim e zënë trajtimi i shkaqeve të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, tiparet dhe veçoritë e tij, kushtet dhe rrethanat në të cilat u bë i mundur shndërrimi gradual i shtetit që doli nga lufta në diktaturë, politikat që u përpunuan e u zbatuan në vitet e regjimit komunist. Sigurisht, edhe në gjatë këtyre viteve ka pasur disa ndryshime të rëndësishme në infrastrukturën e vendit, sidomos në arsim, në kulturë, në shëndetësi e përgjithësisht në emancipimin shoqëror e kulturor të popullit. Ato u realizuan kryesisht në fazën e parë: në vitet 1945-1960, por dhe në dhjetëvjeçarin pasues, kur Shqipëria kishte dhe mbështetjen e vendeve socialiste. Pas prishjes së marrëdhënieve me to, që u shoqërua dhe me ndërprerjen graduale të ndihmave të jashtme, vendi nisi të përjetonte vështirësi serioze, derisa u zhyt në një krizë të thellë e të gjithanshme, e cila çoi në përmbysjen e sistemit.

Në vëllim gjen pasqyrim ideja se vendin e çuan në këtë gjendje tri parimet mbi të cilat ishte ngritur sistemi komunist: ekonomia e centralizuar dhe likuidimi i plotë i pronës private dhe i iniciativës private; lufta e klasave, me nëpërkëmbjen e të drejtave të njeriut dhe me dënimin e persekutimin e kundërshtarëve politikë; izolimi i vendit nga bota. Koha tregoi se një politikë që mbështetej në këto parime nuk kishte të ardhme.

Në vëllim janë trajtuar rrethanat që u krijuan me rënien e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik e në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe ndikimi i tyre në Shqipëri. Një vend të veçantë në vepër e zë lëvizja studentore e dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e rendit komunist dhe vendosjen e sistemit demokratik.

Nga analiza e ngjarjeve të zhvilluara në këtë kuadër bëhet e qartë se revolucioni demokratik, që përmbysi diktaturën, i dha fund krizës dhe çeli një perspektivë të re për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Për këtë arsye ai përfaqëson një ngjarje historike me rëndësi e me ndikim të fuqishëm për fatet e demokracisë dhe të ardhmen e vendit. Me fitoren e rendit demokratik Shqipëria dhe shqiptarët iu bashkuan familjes së popujve e të kombeve të qytetëruara të Evropës demokratike dhe nisën rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, Bashkimit Evropian (BE) dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).
floroS
floroS
WebMaster
WebMaster

Numri i postimeve : 1981
Age : 31
Location : Milkyway
Registration date : 12/03/2009

http://htttp://youtube.com/floros93

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi