70-vjecarja qe po perjeton memesine
:: News.... :: Kuriozitete
Faqja 1 e 1
19042009
70-vjecarja qe po perjeton memesine
Deri tre muaj më parë askush nuk kishte dëgjuar për Aleuan, një fshat i vogël në veri të Indisë, i rrethuar me fusha dhe rrugë të pashtruara. Të paktë ishin ata që shkonin ta vizitonin. Mirëpo, që nga fundi i vitit të kaluar, vendi ka nisur të vizitohet nga një numër i madh të huajsh, për shkak të mrekullisë natyrore të ndodhur aty në muajin nëntor. Shumë prej tyre vijnë posaçërisht për të parë banoren më të vogël të këtij fshati, një vajzë 2-muajshe me emrin Naveen Lohan. Me shikim të parë është e vështirë ta dallosh Naveen nga 25 milionë fëmijët që lindin çdo vit në Indi: me flokë të dendur, sy të zinj dhe lëkurë ngjyrë lajthie. Nën një batanije të madhe prej leshi, të verdhë me vija të kuqe, Naveen pi e qetë qumësht gjiri nga nëna e saj. E në fakt është mamaja e saj ajo që meriton vëmendjen maksimale nga të gjithë. Rajo Devi Lohan ishte 70 vjeçe kur lindi në nëntorin e vitit të shkuar, duke u bërë kështu nëna më e vjetër në botë, e cila solli në jetë në këtë moshë fëmijën e parë. Rajo është një grua me tipare të mprehta dhe e dobët. Edhe pse kur ngrihet në këmbë duket e kërrusur për shkak të moshës, ajo e mban plot kujdes vajzën e saj. “Kemi pritur më shumë se 40 vjet për këtë fëmijë. Lindja e saj është dhuratë e Zotit për ne”, thotë duke e prekur Naveenin e vogël nga faqet. Ajo tregon gjithashtu se ka ndërmend ta ushqejë me gji vajzën e vogël për të paktën tre vjet. Eh, ku i dihet, ndoshta ja del mbanë. Para se të lindte vajza, mungesa e shtatzënisë për jetën e çiftit Lohan ishte subjekt vuajtjesh dhe turpi. Për shumë vite Rajo Devi dhe Baba Ram, bashkëshorti i saj 72-vjeçar, ishin të detyruar të duronin llafet e fshatit, që i kishin shmangur thuajse nga të gjitha ngjarjet që zhvilloheshin aty. Presioni për të ruajtur nderin e familjes së tyre, pjesë e zakoneve indiane, ishte kaq i madh, sa miqtë dhe të afërmit kërkonin që çifti të ndahej. “Të gjithë i kërkonin Baba-s që të ndahej nga unë dhe të martohej me dikë që mund t‘i jepte atij një fëmijë”, thotë Rajo Devi. Baba Ram tregon se familja e tij është lutur për vite me radhë për të pasur një fëmijë. Çifti lidhi kurorë në vitin 1950, në vendin ku të dy kishin lindur. Në atë kohë, Baba Ram ishte 14 vjeç dhe Rajo Devi 12. Për 45 vjet me radhë ata u përpoqën që të krijonin një familje, por nuk arritën t‘ia dilnin mbanë, edhe pse nuk lanë vend pa vizituar, mjek popullorë, ilaçe popullore, fallxhorë dhe lutje pa fund në tempujt e shenjtë të vendit. Asgjë nuk e ndihmonte çiftin e ri të krijonte një familje. Në fund, i dëshpëruar, Baba Ram u kthye te shtëpia e vjehrrës së tij, duke i kërkuar ndihmë. Për të qetësuar atë dhe Zotat, burrit iu dha dora e motrës së vogël të Rajo Devit, Omnit. Edhe pse ishte 8 vjet më e re se e motra, edhe ajo fatkeqësisht nuk mund të lindte fëmijë. I dorëzuar përballë fatit të tij, Baba Ram dhe dy gratë e tij lanë mënjanë shpresat dhe vendosën të ndërtonin një jetë të tre së bashku. Ata ndërtuan një shtëpi me tulla për veten dhe kafshët shtëpiake. Familja hante dhe flinte në katin e sipërm të shtëpisë, ndërkohë të njëjtën gjë bënte bagëtia e gjallë një kat më poshtë. “Ne njiheshim si njerëz që nuk mund të bënim fëmijë dhe kjo nuk është gjë e mirë në fshat. Në vendin tonë, familja identifikohet me fëmijët”, thotë Baba Ram. Në Aleua, gati 100 milje larg Nju Delhit, rreth 200 familjet e tij jetojnë larg trazirave dhe jetës moderne, mes bagëtive dhe bujqësisë. Rajo Devi nuk ka shumë gjëra në pronësi, përveçse një televizor të vjetër. Edhe veshjet i ndan me bashkëshortin. As ajo dhe as Baba Ram nuk mund të shkruajnë dhe lexojnë, kështu që ata nuk kishin dëgjuar kurrë për revolucionin mjekësor dhe bebet në provëz, kur po përpiqeshin të sillnin në jetë një fëmijë. Por, fatmirësisht për ta, një fqinj kishte lexuar për një grua 60 vjeçe që kishte lindur dy binjakë përmes fertilizimit artificial në një spital të vendit. Ai i tregoi Lohanve për “ilaçin” e ri dhe të tre vendosën të shkonin të shihnin “mrekullinë familjare”, e cila jetonte 25 milje larg. “Na treguan se mund të bënim disa analiza, të pinim disa ilaçe për të lindur një fëmijë. Ne nuk kishim dëgjuar kurrë për këto gjëra më parë”, thotë Rajo Devi. Ndryshe nga shumë vende të botës, në Indi doktorët nuk marrin parasysh moshën e gruas, por vetëm fizikun e saj. Po ashtu nuk ka ligje që pengojnë numrin e vezëve që duhen vendosur në mitër. Edhe pse ka më shumë se 30 vjet që fertilizimi në provëz zhvillohet në Indi, nuk ka ende asnjë ligj për të. Të vendosur për të bërë një fëmijë, çifti shiti dy buaj dhe mori një kredi, duke lënë peng prodhimin e orizit, grurit dhe kallameve të sheqerit. Me 175 mijë rupi, afërisht 2500 euro, të tre nisën përpjekjet për të realizuar dëshirën më të madhe. Iu desh të udhëtonin vetëm 30 milje për në qytetin më të afërt, Hisar, ku gjetën një doktor që mund të ndiqte rastin e tyre. Në fillim blenë një vezë nga një dhurues dhe sipas doktorit që u kujdes për ta, Lohanët nuk e dinin identitetin e dhuruesit. “Ishte e një vajze vendase, por ata nuk pyetën se kush”, thotë ai. Doktor Anurag Bishnoi drejton një klinikë private në qytetin e Hisarit dhe shton se “National Fertility Center” pret rreth 50 pacientë në ditë. “Në Indi vlerësimi i shoqërisë për çiftet që nuk bëjnë fëmijë është i tmerrshëm. Ne kemi pasur çifte që kanë qenë gati për të vrarë veten. Mosha nuk merret në konsideratë, por vetëm gjendja psikologjike dhe fizike e gruas”. Kur Lohanët shkuan aty, doktori në fillim vizitoi Omnin, më të renë nga dy gratë, por Bishnoi tha se ajo nuk mund të ishte zgjedhja e duhur, pasi vuante nga tensioni i lartë i gjakut. “Kështu që mundësia e vetme për Lohanët ishte gruaja më e madhe në moshë. Ajo nuk kishte asnjë problem. Ishte e fortë dhe për më të tepër ishte shumë e vendosur”. Pas procedurave të nevojshme, embrioni, që doktori pranoi se ishte normal, u vendos në mitrën e Rajo Devit. Kështu gruaja hyri në vitin e 70-të të jetës me shqetësime të shumta çdo mëngjes. Muajt e parë ajo vazhdonte të punonte jashtë shtëpisë, duke prerë kallam sheqeri, por doktorët e paralajmëruan që të mos punonte. “Nuk kisha dhimbje shpine apo probleme me gjunjët. Në fshat ne jemi rritur me punë të rënda dhe kjo na ka bërë më të fortë. Nëse do të kisha qëndruar ulur gjatë gjithë jetës sime, mund të kisha pasur probleme me shtatzënisë. Jam e fortë, sepse punoja rreth 12 orë në fushë. Doktorët thonë se jam aq e fortë sa një 40-vjeçare. Edhe kur të jem 80 vjeçe, do të jem në gjendje ta ndjek vajzën nga pas kur luan”, tregon gruaja. Edhe pse lindi 8 javë para kohe, Naveen tani gëzon shëndet të plotë, ndërsa Rajo tregon se të gjithë mund të kujdesen për të në momentin kur prindërit e saj të mos jenë më. Ndërkohë, Baba Ram tregon se i do të dyja gratë njëlloj dhe se ka shumë njerëz në shtëpi që mund të kujdesen për fëmijën. “Ato janë motrat dhe gratë e mia, dhe të dyja mund të kujdesen njëlloj për Naveen”, thotë ai. Edhe pse vajza është “produkt” i spermës së të atit me një dhuruese anonime të vezës, Rajo thotë: “Ajo ka tiparet e Bab Ramit dhe këmbët e duart njëlloj si të miat”. Në të ardhmen, Lohanët pretendojnë ta zgjerojnë familjen me më shumë fëmijë. Ata shpresojnë që një ditë të kenë një djalë, që në shoqërinë indiane konsiderohet si bekim dhe arrin të trashëgojë edhe emrin e familjes ndër breza. “Problemi i vetëm janë paratë. Shpenzova gjithçka për Naveen. Por ne duam një djalë tani. Çfarëdolloj pasurie që të kem, do ta jap për të. Naveen do të martohet dhe largohet nga familja brenda 15 vjetëve. Mbiemri jonë do zhduket nëse nuk kemi një djalë”. Në fshat, ardhja e vajzës u pa si një rast për t‘u festuar. Festimet zgjatën plot dhjetë ditë pasi vajza doli nga spitali dhe u soll në shtëpi. Ëmbëlsirat, pijet, urimet dhe fjalët e mira mbushën shtëpinë. Edhe sot, banorët e Aleuas, kur i pyet për Lohanët, buzëqeshin dhe flasin për një “Dhuratë të Zotit”. Në këtë pjesë të Indisë, gëzimi i të pasurit një fëmijë është tepër i madh, pavarësisht moshës.
donbeco- Admin
- Numri i postimeve : 588
Age : 31
Location : alone in my world
Registration date : 14/03/2009
Similar topics
» 68-vjecarja ne Guinness me 23 martesa
» 9-vjecarja e “Millionaire”, i ati: Nuk dua ta shes
» Kazakistan, 130-vjecarja gruaja me e vjeter ne Bote
» 9-vjecarja e “Millionaire”, i ati: Nuk dua ta shes
» Kazakistan, 130-vjecarja gruaja me e vjeter ne Bote
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi